‘Java Botërore e Ushqyerjes me Gji’, është një fushatë globale për të rritur ndërgjegjësimin dhe fuqizimin e rëndësisë së ushqyerjes me gji që shënohet çdo vit nga data 1 deri me 7 gusht. Organizata Botërore e Shëndetit (OBSH) dhe Akademia Amerikane e Pediatrisë (AAP) theksojnë rëndësinë e ushqyerjes me gji për nënat, si dhe për foshnjat. Të dy organizatat rekomandojnë që të paktën në gjashtë muajt e parë të jetës foshnjat duhet të ushqehen vetëm me gji.
Qumështi i gjirit është i pasur me antioksidantë, antitrupa dhe enzima që janë të nevojshme për një rritje të shëndetshme të fëmijës. Benifitet e ushqyerjes me gji përfshijnë edhe imunitet më të fortë për fëmijën dhe reduktojnë prekjen e fëmijëve nga sëmundje të ndryshme. Në këtë kohë pandemie OBSH, siguron se edhe gratë të cilat janë të prekura me COVID-19, mund të ushqejnë me gji fëmijët e tyre duke përdorur maskë, të pastrojnë dhe të dezinfektojnë duart në mënyrë rutinore, para dhe pasi të kenë prekur foshnjën.
Tema e këtij viti, nga OBSH-ja, është “Ushqyerja me gji, për një planet më të shëndetshëm” dhe nënvizon përfitimet e shumta mjedisore të ushqyerjes me gji, kundrejt qumështit formulë.