Që nga fillimi i pandemisë ‘Covid – 19’, në rrjetin social “Facebook” është krijuar një grup publik, i titulluar “Vullnetarët/Volunteers #COVID-19”, i cili deri më tani numëron 11,900 mijë anëtarë nga e gjithë Kosova. Ky grup është krijuar me iniciativë të organizatës mjedisore “Let’s Do It Kosova”, me qëllim të bashkimit të të gjithë atyre qytetarëve, pa asnjë dallim, që duan të kontribuojnë vullnetarisht për të menaxhuar sa më lehtë, sigurt dhe suksesshëm situatën e shkaktuar nga pandemia ‘Covid – 19’. Ky grup është duke vepruar për të vetëdijesuar qytetarët e Kosovës për masat parandaluese dhe mbrojtëse ndaj ‘Covid – 19’, përmes shpërndarjes së vazhdueshme të informacioneve të sakta, për të krijuar data bazën e vullnetarëve, të cilët janë të gatshëm të kontribuojnë në luftën kundër ‘Covid – 19’ si dhe për të evidentuar dhe ndihmuar familjet gjithandej vendit që kanë mungesë të gjërave elementare për jetesë në këtë kohë krize ekonomike.
Një nga menaxhuesit e këtij grupi, Besnik Shabiu, për Radio KFOR-in ka bërë të ditur se tani në muajin gusht kanë paraparë një fushatë me qytetarë, e cila do të përfshijë aktivitete të ndryshme. “Në muajin gusht do të bëhet shpërndarje e maskave, broshurave dhe bashkëbisedim me qytetarë, ku anëtarët e grupit, varësisht nga komuna do të angazhohen që të dalin në terren. Ata do të shpërndajnë maska, broshura si dhe në të njëjtën kohë të bashkëbisedojnë me qytetarët për rëndësinë e respektimit të masave për parandalimin e përhapjes së virusit ‘Covid – 19’. I gjithë aktiviteti do të zhvillohet në koordinim të plotë me Ministrinë e Shëndetësisë, Institutin e Shëndetit Publik të Kosovës dhe Shtabet Emergjente Komunale. Më pas, do t’u ofrohet ndihmë inspektorëve sanitarë në monitorimin sa më efikas të gjendjes në terren, sa i përket respektimit të masave anti ‘Covid – 19’. Po ashtu, në bashkëpunim me institucionet kompetente, anëtarët e grupit përmes rrjeteve sociale, bashkëbisedimit direkt me qytetarët, si dhe përmes mediave do të kërkojnë nga qytetarët që të raportojnë sa më shumë për rastet e shkeljes së masave të sigurisë së ‘COVID-19’. E gjithë kjo do t’u mundësohet qytetarëve përmes vënies në dispozicion të numrave ku ata mund të thërrasin falas në çdo kohë dhe me këtë rast, do të themelohet edhe Qendra për Pranimin e Thirrjeve ‘Raporto shkeljet COVID-19’.”
Të gjithë të interesuarit për të ndihmuar në këtë fushatë, mjafton të anëtarësohen në grupin “Vullnetarët/Volunteers #COVID-19” në Facebook.