Përhapja e shpejtë e ‘COVID-19’, ka alarmuar jo vetëm Kosovën, por edhe gjithë botën. Organizata Botërore e Shëndetit (OBSH), nga fillimi i muajit mars ka deklaruar emergjencë shëndetësore. Për tu mbrojtur nga një virus i tillë secili vend ka ndërmarr masat mbrojtëse, duke detyruar njerëzit të rrinë të izoluar dhe të mënjanojnë kontaktin me të tjerët. Për të ditur më shumë se sa do të ketë efekt ky izolim në jetën e njerëzve, Radio KFOR-i kontaktoi Psikologen Klinike, Antigona Qelaj –Sejdiu, e cila theksoi: “Me shfaqjen e virusit COVID sigurisht që njerëzimi në një formë apo në një tjetër është afektuar edhe në aspektin psikologjik. Efektet më të mëdha kanë pasur të bëjnë me frikën, e cila është shkaktuar nga virusi, meqë ka qenë i panjohur dhe gjithmonë situatat që janë të panjohura shkaktojnë më shumë frikë, e si pasojë e kësaj kjo ka shkaktuar edhe ankthe.”
Nga ana tjetër, Specialist i Infektologjisë në Klinikën Infektive në QKUK , Vlbon Krasniqi, mendon se nevojitet ende kohë për t’i njohur efektet e ndikimit nga virusi: “Tashmë kemi 3-4 muaj që po bashkëjetojmë me virusin dhe është shumë herët ta dimë se si e ka afektuar jetën individuale dhe kolektive të qytetarëve, megjithatë një gjë është e sigurt, kjo pandemi dhe ky virus do të kenë ndikime afatgjate, qoftë në shëndetin individual, qoftë kolektiv dhe qoftë në ndryshimin e shprehive të jetës dhe në stilin e jetës në të ardhmen. Kjo mbetet për t’u parë në muajt në vazhdim.”
Tani, çfarë ne dimë sigurt është se ‘COVID-19’, është shkaktar i sëmundjes respiratore akute dhe personat në moshë dhe të sëmurët kronik, janë më të ekspozuar dhe në rrezik më të madh për shkak të komplikimeve dhe formave të rënda që vijnë nga ky virus. Për t’i mbrojtur këto kategori të ndjeshme, ne duhet edhe më tutje të mbajmë maska, t’i dezinfektojmë duart dhe të respektojmë distancën sociale.