E lindur më 22 korrik, të vitit 1992, në Teksas të Amerikës, emri Selena Gomez sot është i njohur gjithandej ku jepen çmimet prestigjioze për muzikë e aktrim, emri që ka rreth miliona fansa dhe emri që kryeson shpesh top listat botërore të muzikës . Selena Maria Gomez, është emri i plotë i vajzës që e nisi karrierën prej artisteje si adoleshente, e inspiruar nga nëna e saj, që ishte aktore amatore.
Gomez për herë të parë u paraqit në publik teksa mori rolin e saj të parë në aktrim si pjesë e serisë televizive për fëmijë “PBS”, për t‘u bërë shpejt ylli i serisë televizive të ‘Disney-t’, që fitoi edhe çmime “Grammy” – ‘Wizards of Waverly Place’. Pas kësaj, biografia e karrierës së saj u mbush me role të shumta televizive të cilat i dhanë, përveç famës botërore edhe një sirtar të mbushur me çmime. Ndër filmat ku Gomez, ka marrë pjesë janë: “Another Cinderella Story”, “Princess Protection Program”, “Ramona and Beezus”, “Monte Carlo”, “Spring Breakers”, “Getaway”, “The Fundamentals of Caring”, “The Dead Don’t Die”, etj.
Me muzikë zyrtarisht filloi të merrej kur krijoi grupin ‘Selena Gomez & the Scene’, një grup pop-elektronik që lansoi albumin e parë “Kiss & Tell”, në vitin 2009, për të vazhduar në vitet pasuese me albumet: “A Year without Rain” dhe “When the Sun Goes Down”. Në vitin 2012, Selena u largua nga grupi në fjalë, për të vazhduar karrierën si solo këngëtare. Një vit më pas ajo debutoi me albumin “Stars Dance”, për të lansuar më pas albumet “Revival” në vitin 2015 dhe “Rare” në vitin 2020. Të gjitha albumet e saja kanë debutuat në vendin e parë në klasifikimin amerikan, ndërsa këngët e albumeve kanë gëzuar pozita edhe në top 10- shën e “Billboard Hot 100”. Si këngëtare, ajo u shpërblye me shumë çmime si: “Gruaja e vitit 2017” nga ‘Billboard’, “ Best Pop Video” nga ‘MTV Video Music Award’, “Artistja Favorite Pop/Rock” nga ‘American Music Awards’ etj.
Përveç karrierës prej artisteje, Gomez, ka rrëmbyer vëmendjen e mediave edhe për jetën e saj private. Lidhja e saj me këngëtarin e famshëm Justin Bieber, ka qenë e vazhdon të mbetet vëmendja e fansave edhe sot. Dyshja gëzoi një lidhje nga viti 2010 me disa episode të ndarjes, për t’u ribashkuar në vitin 2013 dhe për t’i dhënë përfundimisht fund lidhjes së tyre në vitin 2018. Lidhjen e saj me Justin, këngëtarja jo rrallë herë e ka pasqyruar edhe në këngët e saja.
Selena është e njohur edhe si filantropiste dhe falë kontributeve të saj, në vitin 2017, Gomez u emërua zëdhënëse e UNICEF-it për kampanjën “Trick-or-Treat for UNICEF”, e cila inkurajon fëmijët të mbledhin fonde për të ndihmuar fëmijët në nevojë kudo në botë.