Me ndërprerjen e procesit mësimor për shkak të pandemisë, të mësuarit ndryshoi koncept, mirëpo për fat të mirë me zhvillimin teknologjik është bërë e mundur ndjekja e klasave në platformën online, në mënyrë që nxënësit të kenë qasje në mësime të rregullta.
Mirëpo, përveç mësimit online, fëmijëve ju duhen edhe aktivitete shtesë për të zhvilluar atfësitë e tyre edhe jashtë shkollës dhe për këtë ka menduar organizata ‘Education Comes First’, të cilët kanë krijuar aktivitete argëtuese me karakter edukativ për fëmijët në platformën online.
Në lidhje me këtë formë mësimore argëtuese, Radio KFOR-i kontaktoi, koordinatoren e programit në ‘Education Comes First’, Saranda Rexha, e cila tregoi detaje shtesë rreth kësaj nisme: “Organizata ‘Education Comes First’, promovon mësimin duke bërë “Learning by doing”, kryesisht nëpërmjet lojës dhe aktivitete tjera kreative me karakter edukues. Duke u përshtatur me situatën aktuale të krijuar dhe sfidën që po kalojnë edhe prindërit, njëkohësisht aktivitetet janë të dizejnuara kryesisht që të mund të realizohen në kushte shtëpie, madje janë dhënë edhe shembuj të zëvendësimit të materialeve në forma dhe mënyra të ndryshme. Të gjitha aktivitetet kërkojnë njëkohësisht edhe angazhimin e prindërve dhe anëtarëve tjerë të familjes, poashtu ka edhe aktivitete që kërkojnë pjesëmarrjen edhe të gjyshërve, madje edhe nëse nuk janë duke qëndruar bashkë gjatë kësaj kohe.”
Vlen të përmendim gjithashtu se ‘Education Comes First’, i është bashkangjitur kampanjës #rrinshpidhelexo , bashkë me Ambasadën Suedeze në Prishtinë, pastaj The Library Project Kosova, Etea dhe ‘Librat që dua’, me qëllim që të inkurajojnë leximin te fëmijët gjatë kësaj kohe, duke kërkuar nga ata që të ndajnë dhe të i rekomandojnë librat e tyre që janë duke i lexuar.