Fondacioni “BONEVET”, sot, më 1 prill, duke filluar nga ora 18:00 do të organizojë një webinar për t’iu mësuar fëmijëve gjuhën programuese ‘Scratch’, përmes së cilës mund të krijohen lojëra, tregime dhe punime të ndryshme artistike.
Mentorja në ‘BONEVET’, Edona Bejtullahu, për Radio KFOR-in ka treguar për qëllimin e organizimit të webinareve të tilla: “Javët në vazhdim, stafi i ‘BONEVET’ do të organizojë webinare të ndryshme me tema të caktuara, ku do të mund të bëhen pjesë fëmijë të moshave të ndryshme dhe të rritur. Përmes webinarit për gjuhën programuese ‘scratch’, fëmijët e moshave 7 – 12 vjeç, kanë me pas mundësi me i mësu gjërat bazike mbi këtë gjuhë dhe me kriju lojën e tyre të parë si programues të vegjël. Ne po synojmë t’i mbajmë të gjithë fëmijët të angazhuar me aktivitete argëtuese dhe ashtu si nënklasat tona të transmetojmë dëshirën për të mësuar përmes lojës edhe në shtëpi.”
Tutje, Znj. Bejtullahu, ka njoftuar se webinaret e tilla janë falas dhe se të interesuarit për pjesëmarrje duhet të regjistrohen përmes emailit: prishtina@bonevet.org, duke shkruar emrin, mbiemrin, moshën e pjesëmarrësit si dhe një numër kontaktues, ku do t’u dërgohet linku për çasje në webinar.