Të mërkurën (6 Nëntor 2019), do të mbahet nata finale e konkursit “Poezi për Paqe”, organizuar nga Kult Plus dhe mbështetur nga UN Women në Kosovë.
Nata finale e këtij konkursi do të mbahet nga ora 19:00, në “KultPlus Caffe Gallery”, ndërsa do të jenë të pranishme autoret e 10 poezive të përzgjedhura.
Organizatorët kanë njoftuar se në këtë mbrëmje poetike, autoret do t’i lexojnë poezitë e tyre para të pranishmëve dhe krejt në fund juria do të shpallë vlerësimin për tre poezitë më të mira të këtij konkursit, cilat edhe do të shpërblehen.
Tutje, organizatorët thonë se aplikimet janë vlerësuar nga juria profesionale e përbërë nga profesori dhe poeti i njohur Sali Bashota, studiuesi dhe shkrimtari Agron Gashi dhe studiuesja dhe gazetarja Jeta Zymberi, të cilët edhe kanë zgjedhë finalistet e këtij konkursi.
Konkursi ka qenë i hapur që nga 21 Shtatori, në Ditën Ndërkombëtare të Paqes, ndërsa kanë mundur të aplikojnë të gjitha poetet gra dhe vajza të të gjitha moshave, dhe komuniteteve në Kosovë.
Ky aktivitet është pjesë e projektit “Youth for Kosovo” mbështetur nga UN Peacebuilding Fund, dhe zbatuar nga UN Women, UNDP-UNV dhe UNICEF.