Çdo vit në Kosovë ndahet çmimi ‘Artistët e së nesërmes’, një çmim që shpërblen artistin më të mirë bashkëkohor të cilët nëpërmes punës së tyre sjellin një dimension të ri të botës, fenomeneve dhe komunitetit nëpërmes artit.
Këtë vit pjesëmarrës në këtë garë ishin shumë artistë të rinj, ndërkaq fituesi i çmimit do të shpallet më 6 dhjetor 2019, në ‘Klubin e Boksit’ në Prishtinë, në mbylljen e ekspozitës së finalistëve të “Artistët e së nesërmes” 2019.
Nëpërmes një komunikate për media, ‘Qendra për Art Bashkëkohor’ njoftoi :
„Juria e çmimit “Artistët e së nesërmes” 2019 ishte e lumtur që shqyrtoi 16 aplikimet e pranuara nga artistët nga Kosova. Për ne anëtarët e jurisë që kanë qenë pjesë e jurisë edhe në edicionin e kaluar, ishte inkurajuese të shihet një gamë më e gjerë të mediumeve dhe tematikave te shqyrtuara dhe një profesionalizëm edhe më të madh në shumë prej aplikacioneve. Duket se praktika kritike artistike në Kosovë po zhvillohet mirë dhe shpresojmë që çmimi “Artistët e së nesërmes” të vazhdojë të kontribuojë në një të ardhme ngazëlluese për artistët e vendit”.
Mbështetësit kryesor të çmimit “Artistët e së nesërmes” 2019 janë: Ambasada e SHBA-së në Kosovë, ‘Trust for Mutual Understanding’, ‘Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit e të Kosovës’, dhe ‘Komuna e Prishtinës’.