Ngjarjet kulturore në Kosovë përgjatë vitit 2022, kanë qenë të shumta e me organizime të panumërta të shfaqjeve, performancave artistike, ekspozitave dhe aktiviteteve të tjera nga kjo fushë. Padyshim, në krye të ngjarjeve më të rëndësishme në vendin tonë, ishte Bienalja Nomade ‘Manifesta 14’, që mblodhi në Kosovë për 100 ditë rresht, artistë me renome botërore.
Prej datës 22 korrik, kur edhe filloi ‘Manifesta’, aty u shpalos puna e 103 artistëve, në lokacione të ndryshme në Prishtinë, ku u organizuan ekspozita, përjetime, tregime e rrëfime kolektive dhe instalacione artistike të artit bashkëkohor. Rreth 800 mijë persona morën pjesë në ‘Manifesta’, që nga muaji korrik, e deri me datën 30 tetor, kur edhe u bë përmbyllja e Bienales Nomade Evropiane.
Gjithashtu, ky vit që po e lëmë pas, ishte shumë i pasur edhe me shumë festivale. Njëri nga festivalet më të mëdha në Ballkan, edhe këtë vit u mbajt në Prishtinë. Bëhet fjalë për festivalin ‘Sunny Hill’, i cili solli para publikut Kosovarë, disa nga artistët më të njohur në botë.
Ngjarje tjetër e rëndësishme kulturore që po zënë vend çdo vit në vendin tonë, është edhe festivali i filmit ‘Prifest’ dhe festivali i filmit dokumentar ‘Doku Fest’. Këto festivale po bëjnë bashkë komunitetin artistik të kinematografisë nga vendi dhe bota dhe vlerësojnë punën e artdashësve.
Festivalet e muzikës klasike ‘Chopin Piano Fest’ dhe ‘Re Musica’, po ashtu janë ngjarje të rëndësishme të kulturës në vend, që po mbledhin performuesit dhe dirigjentët më të mirë nga shumë vende të botës dhe po i sjellin para publikut vendas.
Radio KFOR-i gjithmonë promovon artin dhe është në përkrahje të fushës së kulturës në vend dhe në skenën programore të Radio KFOR-it, nga data 7 janar 2023, do të zë vend edhe një emision i ri, kushtuar kulturës në përgjithësi ‘Culture Mix’.