Gjatë këtij viti, Radio KFOR-i dhe 4You Magazine kanë promovuar iniciativa që e kanë përfshirë brezin e ri nga të gjitha komunitetet në Kosovë në fusha të ndryshme: muzikë, sport, art, kulturë dhe teknologji. Faleminderit për këtë, ju lumtë!
Aktiviteti i fund vitit, i organizuar nga stafi i Radio KFOR-it dhe 4You Magazine, i priti të gjithë aktorët kryesorë që i kanë mbështetur dhe kanë bashkëpunuar me ta, me synimin për të dhënë informacion të saktë, neutral dhe transparent.
Ky aktivitet rezultoi si një mundësi e shkëlqyer për të përforcuar këtë bashkëpunim dhe për të lehtësuar promovimin e vlerave thelbësore të misionit të KFOR-it për siguri, paqe, tolerancë, mirëkuptim dhe bashkëjetesë për të mirën e të gjitha komuniteteve në Kosovë.
Me një përshëndetje për të gjithë të pranishmit, programin e hapi me një fjalim, komandanti i KFOR-it, Gjeneralmajor RISTUCCIA. Në fjalimin e tij, ai theksoi se KFOR-i e ka shpalosur një histori suksesi dhe një realitet solid, të arritur me përkushtimin e bashkësisë ndërkombëtare, burrave dhe grave që besojnë fuqishëm në rëndësinë jetike të ndërtimit, tullë mbi tullë, të një kështjelle të fortë të paqes, sigurisë, dialogut dhe bashkëjetesës së frytshme.
Llojllojshmëria kulturore, duhet të merret si një mundësi për të pasuruar veten. Ngjarjet e fundit kanë treguar se përparimi, stabiliteti dhe hapat përpara në ndërtimin e një të ardhmeje të lulëzuar, mund të rrezikohen nga një vendim apo veprim i vetëm i papeshuar mirë. Rezultatet e arritura deri më sot, mund të zhbëhen lehtësisht dhe të gjitha sakrificat e bëra mund të bëhen të padobishme. Një e ardhme më e mirë nuk është një ëndërr, ajo është rezultat i përpjekjeve, mençurisë, gjykimit dhe përkushtimit të madh të përbashkët.
Zemra e Kosovës që rreh fort, mbesin njerëzit të cilët KFOR-i i mban gjithmonë afër, përmes punës së jashtëzakonshme të Radio KFOR-it dhe 4You Magazinës.
Kur ekziston një ndjenjë e qëllimit të përbashkët, ne lëvizim si një, me një vizion të vetëm. Nuk ka rëndësi se sa i vështirë do të jetë formësimi i së tashmes, apo me sa sfida duhet të përballemi. Gjëja e vetme me rëndësi është e ardhmja e lulëzuar, që të gjithë ne e meritojmë. Le të vazhdojmë të punojmë së bashku për të ecur përpara.
Duke iu drejtuar nxënësve të pranishëm, nga shkollat shqiptare dhe serbe, komandanti i KFOR-it i inkurajoi ata që të vazhdojnë të mësojnë, në mënyrë që ta përmirësojnë aftësinë e tyre për t’i gjykuar situatat me të cilat do të ballafaqohen, rrjedhimisht për të marrë vendime vetë, pa asnjë lloj ndikimi, që në një farë mase, mund të jetë i dëmshëm për të ardhmen e tyre.
Gjenerali RISTUCCIA, e përmbylli fjalimin e tij, duke iu uruar të gjithë të pranishmëve dhe të dashurve të tyre, në emrin e tij dhe në emër të të gjithë pjesëtarëve të KFOR-it, festa shumë pozitive të fund vitit dhe një Vit të Ri të frytshëm plot me ato që të gjithë i dëshirojnë më së shumti si dhe e shprehu dëshirën e tij personale për Kosovën, që të ecë përpara me hapa paqësor, në themelimin e së ardhmes së brezit të ri me perspektiva të qëndrueshme.
Festat e fund vitit janë në pragun e derës dhe tani më shumë se kurrë është vërtet e rëndësishme, që të pushojmë dhe të meditojmë për të ardhmen tonë. Viti 2022, ka qenë një vit shumë i vështirë për të gjithë, i definuar nga një mori sfidash të vështira për t’u kapërcyer. Nxisni të gjithë që të krenohen me atë që është arritur deri më tani, duke e konsideruar atë si një tullë, mbi të cilën mund të vendosni edhe një tjetër.
Shkrim nga Zyra e KFOR-it për Marrëdhënie me Publikun.