Situata me COVID-19 në Kosovë, po vazhdon të jetë stabile dhe numri i rasteve pozitive, për fat të mirë gjatë javëve të fundit ka qenë një shifror dhe nuk ka pasur viktima, mirëpo nga ekspertët shëndetësor sërish po kërkohet që të jemi të përgjegjshëm në respektimin e masave anti-Covid.
Më shumë rreth gjendjes aktuale me COVID-19 në Kosovë, për Radio KFOR-in foli Specialisti i Pulmologjisë, Dr. Besim Morina: “Pandemia COVID-19 për fat të mirë është në pjesën e rënies dhe numri i pacientëve që janë të infektuar, tanimë po bie dhe ne ndihemi shumë më të lirë sepse më nuk kemi të bëjmë me një sëmundje të rëndë. Kjo nuk do të thotë që ne duhet të humbim vigjilencën, nëse vjen një valë tjetër e këtij virusi, duhet të jemi të gatshëm ta përballojmë atë.”
Sipas raportit të fundi të IKSHPK-së, gjatë 24 orëve të fundit, nga 32 teste, vetëm 1 ka rezultuar pozitiv me CoViD-19, gjatë kësaj periudhe 7 pacientë janë shëruar dhe për fat të mirë nuk ka pasur asnjë vdekje.