‘Ditën Ndërkombëtare e Krijimit të Muzikës’, është një nismë e vitit 1981, për të krijuar një traditë të përhershme dhe një hapësirë të lirë për çdo muzikant, qoftë profesionist apo amator. Kjo ditë së pari u shënua në Francë, për tu kthyer pastaj në një fenomen ndërkombëtar që festohet në të njëjtën ditë, në më shumë se 460 qytete, në 110 vende të botës.
Në vendin tonë, për fat të mirë kemi shumë muzikantë të talentuar, megjithatë hapësirat e nevojshme për të shprehur artin dhe talentin e tyre, shpesh herë janë të kufizuara, tha kështu për Radio KFOR-in pianisti, Emir Shala: “Muzika klasike nuk duhet parë në aspektin komercial, është kulturë e cila duhet të servohet, sidomos tek gjeneratat e reja. Përkundër faktit që në Kosovë nuk i kemi hapësirat e duhura, sërish organizohen festivale e koncerte të shumta të muzikës klasike edhe me kushte më të mira. Besoj që do të kishim mundësi të performonim edhe me yjet më të mëdhenj të këtij zhanri muzikor.”
Në ‘Ditën Ndërkombëtare të Krijimit të Muzikës’, organizohen shumë koncerte, e këto organizime preferohen të jenë falas për audiencën. Në këtë ditë, Kuinteti i Tunxhit të Filharmonisë së Kosovës do të paraqitet me tri performanca, në tri lokacione të ndryshme në kryeqytet, duke filluar nga ora 15:00.