Mirësia dhe humanizmi paraqesin disa nga vlerat dhe tiparet më të larta njerëzore. Të qenurit empatik dhe human ndaj njëri-tjetrit, lartëson misionin tonë si njerëz. Sot, me 21 qershor, në gjithë botën shënohet ‘Dita Botërore e Humanizmit’, për të bërë thirrje për njerëzit, organizatat dhe institucionet që të ndihmojnë njerëzit në nevojë dhe për të rritur ndërgjegjësimin për vendet që përballen me varfëri të skajshme, sëmundje dhe sfida të tjera ekzistenciale.
Të qenurit human, tregon anën tonë njerëzore për të bashkë ndje me tjetrin dhe për të ndarë ndihmën tonë me personat që kanë nevojë.
Znj. Rina Zeka paraqet shembullin më të mirë të humanizmit dhe punës vullnetare, për tu dalë në nevojë personave dhe kauzave të ndryshme humanitare në vend. Për Radio KFOR-in, Rina tregoi mbi këtë eksperiencë të saj përmbushëse shpirtërisht dhe ftoi edhe të tjerët, që të jenë human dhe të ndihmojnë të tjerët: “Puna vullnetare dhe aktivizmi, më ka shërbyer në jetë ma shumë se çdo punë tjetër. Për 10 vite aktive, vullnetarizmi ka ndikuar si në formimin e karakterit tim, njohjen e realitetit dhe më ka bërë që ta vlerësoj më shumë shëndetin dhe krejt të mirat esenciale, të cilat i marrim si të mirëqena. Vazhdoj të ju tregoj të gjithëve që është e vërtetë thënia, që askush nuk është varfëruar, duke dhënë për të tjerët. Personalisht jam pasuruar shpirtërisht, kam mësuar po ashtu edhe si të mendoj për të ardhmen më mirë dhe të mos shpenzoj pa nevojë.”
Ndjekeni shembullin e Rinës dhe bëhuni arsyeja që dikush të buzëqesh.