Malet e Kosovës janë mbushur me borë e bashkë me të është shtuar edhe dëshira për të eksploruar natyrën e mbuluar nga bora e bardhë. Mundësitë që i ofron Kosova për tu argëtuar gjatë stinës së dimrit, janë të shumta, mjafton vetëm ta keni dëshirën për ti eksploruar ato.
Në një lartësi mbidetare rreth 1.500 m në rajonin e Rugovës në Pejë, ndodhet fshati turistik Bogë, i cili ofron atraksione edhe gjatë stinës së dimrit. E njohur si qendra më e madhe e skijimit në Kosovë, Brezovica, shtrihet në pjesën verilindore të Maleve të Sharrit, në 2.500 m lartësi mbi nivelin e detit, vend ky i cili po ashtu ofron atraksione edhe gjatë motit me borë. Atje mund të gjeni edhe hotele të ndryshme, që ofrojnë shërbime për spa dhe relaks të paharrueshëm. Mirëpo, Brezovica përveç pamjeve piktoreske që ofron dhe ajrit të pastër, aty të pasionuarit e sporteve dimërore mund të kënaqen me aktivitetet sportive që mund ti gjejnë aty.
Edhe Prevalla, është një fshat turistik i cili më së shumti frekuentohet gjatë stinës së dimrit. Prevalla e cila është e vendosur në Malet e Sharrit, ndodhet 28 km larg Prizrenit dhe shtrihet në një lartësi prej 1.800 metra mbi nivelin e detit. Prevalla është vend ideal edhe për skitarë profesionist, mirëpo edhe për ata fillestar. Pozita e përshtatshme që ka Prevalla, u jep mundësi skitarëve fillestar të përvetësojnë aftësi perfekte në skijim.
Kosova ofron shumë vende të bukura për ti vizituar gjatë tërë vitit, por meqenëse se jemi në stinën e ftohtë të dimrit, nëse vendosni që ti vizitoni vendet e lartpërmendura, atëherë fillimisht sigurohuni që ti keni pajisjet e duhura dimërore me vete, për automjetin tuaj por edhe rrobat e trasha dimërore.