Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare në Han të Elezit, ka përfituar dje (08.12.21), nga donacioni i fundit i KFOR-it. Njësiti i CIMIC-ut (Bashkëpunimi Ushtarak Civil) i KFOR-it, ka dhuruar në këtë qendër pajisje mjekësore, që tejkalojnë vlerën 9 mijë euro.
Përfaqësuesi i CIMIC-ut nga Shtabi i Përgjithshëm i KFOR-it, i cili ishte i pranishëm në dorëzimin e këtij donacioni, u shpreh i lumtur që nga ky donacion, banorët e kësaj pjese do të kenë trajtim më të mirë shëndetësor dhe për Radio KFOR-in ai gjithashtu tha: “Jemi këtu në Komunën e Hanit të Elezit dhe kemi kënaqësinë që ti dhurojmë këto pajisje mjekësore, kësaj qendre. Sot kemi dhuruar pajisje mjekësore, që kapin vlerën mbi 9 mijë euro. Shëndetësia është përcaktuar si prioritet për KFOR-in dhe për projektet e CIMIC-it dhe ne jemi të lumtur që mund ta ndihmojmë këtë komunë, në mënyrë që njerëzit këtu të kenë shërbime shëndetësore më të mira.”
Falënderim për këtë donacion nga KFOR-i, e shprehu Drejtori i Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Han të Elezit, Dr. Njazi Luma, i cili ishte po ashtu i pranishëm në pranim-dorëzimin e këtyre pajisjeve mjekësore: “Ky donacion do ti shërbejë popullatës për shërimin apo edhe për ngritjen e shërbimeve cilësore, në Han të Elezit. Në mjekësi, çdo aparaturë është e rëndësishme, veçanërisht karriget mjekësore, frigoriferët e medikamenteve dhe materialet e tjera që pranuam janë më se të domosdoshme për këtë qendër, sepse këto aparatura na kanë munguar në komunën tonë.”
Përmes këtij donacioni dhe shumë donacioneve të tjera të kryera nga CIMIC-u në të gjithë Kosovën, KFOR-i po e dëshmon përkushtimin dhe mbështetjen për popullin dhe institucionet e Kosovës, posaçërisht duke u përqendruar në sistemin e kujdesit shëndetësor.