Varshava ka një popullsi prej 3.1 milionë banorëve dhe është kryeqyteti i shtatë më i banuar në Evropë. Akoma më tërheqës atë e bën qyteti i vjetër historik, i cili mbrohet nga UNESCO, si një nga destinacionet me trashëgiminë më domethënëse. Një objekt që i shton hijeshinë këtij qyteti, është padyshim Kalaja Mbretërore, e cila për shumë shekuj ka shërbyer si shtëpia e mbretërve polakë. Kjo Kala, është në mesin e ndërtesave që u shkatërruan thuajse tërësisht gjatë luftërave, mirëpo stafi i Kalasë, arriti të ruaj disa nga thesaret kyçe të saj.
Kur jemi tek e bukura e këtij vendi, nuk bën ti lëmë anash as Katedralen e St. Johns dhe Kishën St Anne. Në veri të qytetit të vjetër ndodhet Muzeu i Varshavës, një vend i cili strehon historitë më dramatike të qytetit. Nëse doni ende histori mund ti shihni nga afër edhe Muzeun e Polinit dhe Muzeun e Ngritjes së Varshavës.Në Varshavë, ju mund të udhëtoni në kohë edhe duke u shëtitur në ‘Rrugën Mbretërore’, e cila në të kaluarën përdorej vetëm nga mbretërit. E kur jemi tek rrugët, ndër më të famshmet në Varshavë është rruga e njohur si ‘Nowy Swiat Street’, ku gjëja e parë që bie në sy është monumenti i astronomit të famshëm, Nicolaus Copernicus, i cili në vitin 1543, revolucionarizoi shkencën me teorinë e tij, se toka rrotullohet rreth diellit.
Restorantet si Polska Rozana, Portretowa, Opasły Tom, U Kucharzy dhe Stary Dom, kryesojnë listën e rekomandimeve për të shijuar ushqimet më të mira tradicionale në Varshavë.