Sot, në ‘Ditën Botërore të Shëndetit Oral’, Federata Botërore e Stomatologjisë është duke u përqendruar në rëndësinë e shëndetit oral për shëndetin e përgjithshëm, sepse një shëndet i mirë oral mund t’ju ndihmojë të jetoni një jetë më të gjatë dhe më të shëndetshme. Tema e lansuar për këtë ditë edhe për tre vitet e ardhshme, deri në vitin 2023, dërgon një mesazh të thjeshtë, por të fuqishëm: ‘Bëhu krenar me buzëqeshjen tënde’.
Rreth rëndësisë së kësaj dite dhe të kujdesit oral, Radio KFOR-i morri një prononcim nga stomatologia, Erza Behramaj: “Shumë njerëz mund të mos e kuptojnë që shëndeti i dobët oral, mund të ketë një ndikim të thellë negativ në organet tjera të trupit, siç është zemra dhe në gjendjet si diabeti, shtatzënia dhe inflamacione akute siç është artriti. Sipas shumë studimeve është vërtetuar që bakteret që gjenden në sëmundjet e mishrave të dhëmbëve, mund të udhëtojnë më anë të gjakut në zemër dhe të shkaktojnë sëmundje të zemrës, të bllokojnë arteriet ose të shkaktojnë sulm në tru. Praktikimi i higjienës së mirë të dhëmbëve është shumë i rëndësishëm, sepse mund të parandalojë shumë lloje të sëmundjeve.”
Stomatologia Erza, këshilloi gjithashtu: “Pastrim i dhëmbëve të paktën dy herë në ditë, përdorimi i perit të dhëmbëve pas çdo pastrimi për eliminimin e mbetjeve të ushqimit ndërmjet dhëmbëve dhe vizita çdo 6 muaj, te stomatologu për pastrim profesional të dhëmbëve, janë të domosdoshme për të ruajtur shëndetin oral. Të rinjtë duhet që të mos ndikohen nga trendet e reja të veshjeve të dhëmbëve me teknika të ndryshme, por të mundohen ti ruajnë dhëmbët e tyre natyral.”