Duke e kuptuar rëndësine e orientimit për karrierë për nxënësit e shkollave profesionale, Agjencia për Arsim dhe Aftësim Profesional dhe Arsim për të Rritur, inauguron sot (24 tetor), në SHMLT “Shtjefën Gjeçovi”, në Prishtinë, Qendrën për Karrierë.
Kjo qendër është themeluar si rezultat i një partneriteti dhe bashkë-investimi në mes të Agjencisë për Arsim dhe Aftësim Profesional dhe Arsim për të Rritur dhe projektit Rritja e Punësimit për të Rinj i Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim.
Se çfarë do të mund të përfitojnë të rinjtë nga kjo qendër, na tregon Koordinatori për bashkëpunim me biznese, Festim Matoshi:
“Qendra për Karrierë do të ndihmojë rreth 1,100 nxënës të kësaj shkolle për të zhvilluar një karrierë të suksesshme arsimore, profesionale dhe jetësore, si dhe ndërlidhjen më të mirë me tregun e punës”, tha për Radio KFOR-in, Festimi.
Përveç kësaj qendre për karrierë në Prishtinë, janë themeluar edhe tetë qendra të tjera në shkolla profesionale të ndryshme në gjithë Kosovën.