“American Corner” në Kosovë ka paraparë organizimin e disa aktiviteteve për shënimin e muajit tetor, si muaj të ndërgjegjësimit kundër dhunës në familje.
Sot (24 tetor), duke filluar nga ora 17:00, në hapësirat e Bibliotekës “Pjetër Bogdani” në Prishtinë do të shfaqet filmi amerikan i vitit 1991, “Sleeping with the Enemy” nga regjisori Joseph Ruben.
Aktivitetet e parapara në kuadër të Fushatës “Ndaleni heshtjen: Flisni me zë të lartë, flisni hapur”, do të vazhdojnë edhe më 29 dhe 30 tetor.
Më 29 tetor, duke filluar nga ora 17:00 do të mbahet panel diskutimi me temën “Çfarë po ndodh në Kosovë? Pse ende flasim për dhunën në familje si çështje private?”, me përfaqësues të Sektorit për Dhunën në Familje nga Policia e Kosovës, përfaqësues të Qendrës për Strehimin e Grave dhe Fëmijëve si dhe përfaqësues të Qendrës Kosovare për Studime Gjinore.
Përveç Panelit, në kuadër të kësaj fushate do të mbahet edhe një ekspozitë, e cila do të përbëhet nga mesazhet që do t’i përçojnë pjesëmarrësit e këtij eventi. Po ashtu, pjesëmarrësit do t’i ngjisin disa shirita në mur si shenjë kundërshtie për fenomenin e dhunës në familje, si dhe do të prezantohen fotografi, postera e piktura me temë “Fuqizimi i grave”.
Dhuna në familje afekton miliona njerëz pa dallim moshe, etnie, gjinie apo kulture, si dhe ajo përveç fizike, mund të jetë edhe emocionale, verbale dhe seksuale.