Megjithëse shpeshherë artit nuk i japim rëndësinë e duhur në jetën tonë të përditshme, ai është elementi kryesor në zhvillimin intelektual të njeriut.
“Nëpërmjet eksplorimit të artit, shumë probleme në botë do të zgjidheshin”, thotë Mary Ann F.Kohl.
Se arti është i domosdoshëm në çdo aspekt të zhvillimit të njeriut, na tregojnë edhe studime të shumta, të realizuara ndër vite.
Pikërisht sot (25 tetor) shënohet Dita Ndërkombëtare e Artistëve, e cila festohet për më shumë se një dekadë, për të nderuar kontributin që artistët kanë dhe i japin në vazhdimësi shoqërisë. Në këtë rrafsh, padyshim që kontribut të madh në krijimin e një shoqërie të pasur kulturore, japin edhe piktorët dhe skulptorët, të cilët përmes artit të tyre, pasqyrojnë botën reale e herë -herë imagjinative që ata e manifestojnë në letër apo në forma të tjera. I tillë është edhe skulptori Alket Zeqiri, i cili ka këtë përkufizim përsa i përket artit sot.
“Vështrimi im subjektiv është që artistët nuk janë në pozitën, në të cilën do të duhej të ishin sot dhe në përgjithësi arti ka shënuar rënje, si pasojë e komercializmit dhe një dyshimi mbi vlerat që arti i përfaqëson“ nënvizoi për Radio KFOR-in artisti, Zeqiri.
Jo vetëm artistët, të cilët e kultivojnë artin çdo ditë, por edhe ju dashamirë të tij, këtë ditë mund ta kaloni duke vizituar ndonjë galeri të caktuar ekspozitash, të ndiqni nga afër ndonjë koncert, shfaqje teatrale, të vizitoni ndonjë muze me artefakte apo mënyra të tjera që ju i parapëlqeni.