Përmbledhjen javore në teknologji, këtë herë e nisim me përditësimin e sistemit operativ iOS 16. Apple është siguruar që të sjell një përditësim të hatashëm, e disa prej specifikave të iOS 16, janë: Ekrani i kyçjes është rimodeluar e bashkë me të edhe mënyra sesi shfaqen njoftimet. Tashmë ekrani tregon datën dhe orën, ndërsa përdoruesit mund të ndryshojnë shfaqjen e orës dhe ngjyrën, të shtojnë informacione të tjera krahas datës, të përshtatin sfondet me efekte 3D për disa imazhe ose sllajde. Aktivitetet e drejtpërdrejta apo live, si sportet apo luajtja e muzikës, qëndrojnë në krye të njoftimeve, në fund të ekranit, duke i bërë më të lehta për t’u qasur. Mesazhet e dërguara tashmë mund të editohen ose të tërhiqen brenda 15 minutave të para. Kërkimi në aplikacionin Mail, është përmirësuar ndjeshëm dhe tashmë mund të anuloni dërgimin e një e-maili, 10 sekonda pasi të keni kryer veprimin.
Të reja javore kemi edhe nga Twitter, ku aksionarët kanë miratuar ofertën prej 44 miliardë dollarësh, të Elon Musk, për të blerë kompaninë. Kujtojmë që një gjykim është caktuar për muajin e ardhshëm, e nëse Twitter fiton, gjykatësi mund të urdhërojë shefin e Tesla-s që t’i paguajë vlerën.
Kur jemi tek gjyqi, javën që po e lëmë pas, Bashkimi Evropian ka fituar betejën në gjykatë kundër Google, që mban në fuqi një gjobë të vendosur në 2018-ën, për abuzim me pozitat dominuese në treg dhe dëmtim të konkurrencës. Gjykata e Përgjithshme Evropiane javën që po e lëmë pas, vendosi që gjoba të mbetej në fuqi por pak e reduktuar në 4.1 miliardë euro, duke konfirmuar pretendimet e Komisionit Evropian.