Samsung duket që po planifikon që ta hedh në treg telefonin e ri, me çmim më të lirë. Kompania po përgatitet të prezantojë së shpejti telefonat e gjeneratës së ardhshme Galaxy Z Fold dhe Galaxy Z Flip, e një raport i ri sugjeron që Samsung, mund të prezantojë gjithashtu një telefon fleksibël më të lirë në vitet e ardhshme, i cili do të dalë në treg si pjesë e serisë Galaxy A.
Nga java që kemi lënë pas, tashmë edhe zyrtarisht të gjithë telefonat e mençur dhe tabletët do të duhet të përdorin mbushës të përbashkët të energjisë elektrike, si rezultat i një marrëveshjeje të arritur në javën që po lëmë pas, nga Bashkimi Evropian. Plani i miratuar do t’i detyrojë të gjitha kompanitë, e më së shumti Apple, që të prodhojë telefona, tabletë dhe kamera digjitale, që do të përdorin mbushës USB-C.
Në përmbledhjen javore teknologjike kemi edhe teleskopin hapësinor James Webb, me të cilin planifikohet që të eksplorohen botë shkëmbore jashtë sistemit tonë diellor. Gjegjësisht, shkencëtarët synojnë të studiojnë gjeologjinë në planetë të ngjashëm me Tokën, 50 vite dritë larg. James Webb është teleskopi 9 miliardë dollarësh, të cilin NASA e prezantoi si observatorin kryesor për shkencën hapësinore, për dekadën e ardhshme.
Javën teknologjike e përbënë edhe një rekord. Instituti Kombëtar i Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit (NICT) nga Japonia, arriti të vendosë një rekord në transmetimin e të dhënave. Rekordi i ri i shpejtësisë së të dhënave tani përfaqëson një milion gigabit, që rrjedhin në linjë çdo sekondë.