Çdo vit, e shtuna e dytë e muajit qershor, shënon ‘Ditën Ndërkombëtare të Shqiponjave të Reja’. Kjo ditë inkurajon të rinjtë që të marrin pjesë në programin ‘Young Eages’, një program i krijuar nga Shoqata Eksperimentale e Avionëve të SHBA-së, për t’u dhënë të rinjve nga mosha 8 deri në 17 vjeç, një mundësi për të përjetuar fluturimin me aeroplan, informacione rreth aviacionit dhe fluturimeve. Gjatë kësaj dite fëmijë në gjithë botën takohen me komunitetin e aviatorëve dhe përjetojnë eksperienca unike të këtij profesioni.
Miliona fluturime bëhen në çdo minutë në drejtime të ndryshme nëpër botë. Edhe Kosova, bën pjesë në vendet ‘me trafik’ të ngjeshur ajror. E sipas të dhënave nga Autoriteti i Aviacionit Civil të Kosovës, mbi 1 milion udhëtarë kanë fluturuar nga dhe për në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës, vetëm gjatë 5 mujorit të parë të vitit 2022. Në krahasim me 5 mujorin e vitit 2021, kjo shifër tregon një rritje prej 95% dhe në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit 2019, para pandemisë, rritja është për 25%.