Tarkan Tevetoğlu, i njohur për publikun me nofkën Tarkan, është njëri ndër artistët më të mëdhenj që ka prodhuar industria muzikore turke. Që nga fillimi i viteve të 90-ta, Tarkan ka qenë ndër figurat më të njohura të muzikës pop në Turqi, Evropë dhe në Azinë Perëndimore. Albumi i tij debutues doli në treg në dhjetor, të vitit 1992, ndërsa producent i albumit ishte, Mehmet Söğütoğlu, ndërsa ky album arriti të shitet në mbi 750 mijë kopje, menjëherë pas lansimit në treg.
Në fillim të viteve 2000, Tarkan u bë fytyrë promovuese e kompanisë Pepsi, në Turqi dhe menjëherë në vitin 2002, ishte maskota zyrtare e kombëtares Turke, për Kupën e Botës të po atij viti. Gjatë karrierës së tij, ai ka tentuar të depërtojë edhe në tregun ndërkombëtar duke lansuar albumin e tij të parë në gjuhën angleze “Come Closer” në vitin 2005, gjithsesi albumi nuk arriti suksesin e dëshirueshëm, por pati disa këngë që u pëlqyen edhe jashtë kufijve Evropian.
Karriera e Tarkan, ka qenë mjaft e bujshme, ai ka qenë gjithmonë eksperimental në stilin e tij duke përzier instrumentale modern me melodie të lindjes së mesme, me aranzhime që gjithmonë kishin diçka të bukur, çka edhe i mundësoi të arrijë të ketë disa albume me shitje platinium. Përveç që është shumë i dashur për publikun, Tarkan është vlerësuar edhe nga kritikët e lartë të muzikës, në vitin 1999 ai fitoi çmimin ‘World Music Award’. Ndër këngët e tij më të njohura mbetet hiti Şımarık, që për shumë fansa në botë njihet si Kiss Kiss.