21 prilli, i është ndarë shënimit të “Ditës Botërore të Kreativitetit dhe Inovacionit”, duke rikujtuar krijimtaritë, falë të të cilave ne sot gëzojmë kushte më të mira për jetesë.
Një nga qendrat që për mision ka zhvillimin e kulturës së inovacionit në Kosovë dhe që kontribuon shumë në këtë drejtim, është Innovation Centre Kosovo (ICK), nën udhëheqjen e Drejtorit Ekzekutiv, Uranik Begu, i cili në një intervistë për Radio KFOR-in, vuri në pah rëndësinë që ka shënimi i kësaj dite: “Sigurisht që është një ditë me të cilën shënohet rëndësia e kreativitetit dhe inovacionit në zhvillimin e përgjithshëm ekonomik dhe shoqëror. Si ICK, në vazhdimësi punojmë me ndërmarrës të rinj të cilët synojnë që përmes kreativitetit dhe inovacionit, të krijojnë produkte dhe shërbime të reja që sfidojnë kohën dhe në të njëjtën kohë ofrojnë zgjidhje duke përmirësuar mirëqenien shoqërore. Gjithsesi, Kosova ka një potencial të mrekullueshëm për të zhvilluar fushën e kreativitetit dhe inovacionit, mirëpo duhet të ketë një qasje sistematike dhe një investim më të madh në këtë drejtim si dhe të jetë një partneritet më i ngushtë publiko-privat.”
Sivjet “Dita Botërore e Kreativitetit dhe Inovacionit”, shënohet me moton “Vit Ndërkombëtar i Ekonomisë Krijuese për Zhvillim të Qëndrueshëm”.