Në kalendarin e festave vjetore, dita e sotme 24 maji, i është ndarë shënimit të “Ditës Botërore të Ndërgjegjësimit për Skizofreninë”. Kjo ditë kërkon që rritet vetëdijesimi mbi skizofreninë dhe të rritet mbështetja shoqërore, për personat që janë duke luftuar me këtë sëmundje mendore. Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), skizofrenia prek më shumë se 20 milionë njerëz në nivel botëror. Skizofrenia është një çrregullim serioz mendor që varet nga faktorë të shumtë, duke përfshirë trashëgiminë gjenetike, ndikimin mjedisor dhe shfaqjen e disa disbalancave kimike në tru. Këta faktorë ndikojnë në kompleksitetin dhe ndryshueshmërinë e simptomave dhe trajtimit të skizofrenisë për individët e prekur. Skizofrenia prek njerëz të moshave të ndryshme, duke u shkaktuar dëmtime në sferën mendore dhe në aftësitë e përditshme. Dëmtimi që sjell kjo sëmundje, në të shumtën e rasteve shkakton probleme në funksionimin individual, familjar, profesional dhe shoqëror. Halucinacionet, deluzionet si dhe dëmtimet tjera, e pamundësojnë funksionimin e zakonshëm të mendjes. Vetëm një e treta e personave të prekur nga kjo sëmundje, arrijnë të mbajnë një funksionim sado pak të pavarur, ndërsa disa të tjerë për shkak të dëmtimeve mendore, zakonisht kërkojnë mbështetjen e përhershme nga familja dhe shoqëria.
“Dita Botërore e Ndërgjegjësimit për Skizofreninë”, i dedikohet ndërgjegjësimit ndaj kësaj sëmundje komplekse dhe për t’u ofruar mbështetje atyre që jetojnë me të. Një aspekt i rëndësishëm i ndërgjegjësimit për skizofreninë, është theksimi në faktin se persona që jetojnë me këtë sëmundje kanë potencialin për të pasur jetë të plotë dhe të qëndrueshme me trajtimin e duhur dhe përkrahjen e nevojshme nga familja, andaj secili prej nesh mund të bëjë pjesën që i takon, për të treguar mirësi dhe mbështetje ndaj tyre.