Sezoni veror është një ndër periudhat më të rëndësishme për përkujdesje ndaj lëkurës, kjo për shkak se është stina gjatë së cilës ekspozohemi më gjatë në rreze të diellit, i cili veç një nuance të errët që e duam të gjithë, mund t’i ‘falë’ lëkurës tonë edhe efekte të padëshiruara.
Andaj, për të kuptuar se si duhet të kujdesemi për lëkurën gjatë verës, Radio KFOR-i ka intervistuar dermatologun në ‘DermaArt’, Dr. Rexhep Morina, i cili këshilloi: “Në sezonin e verës duhet të kujdesemi që të përdorim preparate adekuate dhe varësisht nga teni i lëkurës. Preparatet zakonisht janë në trajtë të kremit dhe losioneve. Ato në trajtë të kremit, përdoren për regjionin e fytyrës, ndërsa losionet për trup. Preparatet janë zakonisht me faktorë mbrojtës nga 30-100. Varësisht nga teni i lëkurës, për lëkurë më të ndjeshme duhet të përdoren preparate me faktor më të lartë. Preparatet kanë efekt deri në 2 orë dhe rregulli është që preparatet për mbrojtjen nga dielli, duhet të vendosen 30 minuta përpara ekspozimit në rreze të diellit. Ekzistojnë preparate për fëmijë dhe të rritur.”
Mos harroni, veç preparateve që mbrojnë lëkurën, gjatë verës kujdesuni edhe që të jeni të hidratuar. Hidratimi është gjithmonë i rëndësishëm për lëkurën tonë, e akoma më tepër gjatë verës. Kujdesuni që të konsumoni deri në tetë gota ujë në ditë, përgjatë stinës së ngrohtë.