‘Dita Ndërkombëtare e Edukimit’ shënohet që nga viti 2018, kur Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara, shpalli datë e sotme, 24 janarin, si “Ditë Ndërkombëtare të Edukimit”, duke përkujtuar rolin që luan arsimimi për paqe, përparim dhe zhvillim global. Edhe këtë vit, shënimi i kësaj dite ndodh në vazhdën e pandemisë COVID-19, që çoi në mbylljen e shkollave, universiteteve dhe institucioneve të tjera mësimore, duke prekur 1.6 miliardë studentë, në mbi 190 vende të ndryshme të botës.
Lidhur me këtë ditë, Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, António Guterres, është shprehur: “Ne duhet të bëjmë shumë më tepër, për të çuar përpara ‘Zhvillimin e Qëndrueshëm’, për të siguruar arsim cilësor gjithëpërfshirës dhe të barabartë si dhe për të promovuar mundësitë e të mësuarit për të gjithë, gjatë gjithë jetës.”
Shënimi i ‘Ditës Ndërkombëtare të Edukimit’ rrit bashkëpunimin dhe solidaritetin ndërkombëtar për të vendosur edukimin dhe të mësuarit gjatë gjithë jetës, në qendër të rimëkëmbjes si dhe drejt transformimit të shoqërive më gjithëpërfshirëse, të sigurta dhe të qëndrueshme.