Sipas Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës, vetëm gjatë 24 orëve të fundit, janë regjistruar 3.957 raste të reja me COVID-19.
Për të ditur se cila është gjendja momentale me COVID-19, Radio KFOR-i kontaktoi, infektologun Hamdi Ramadani, i cili theksoi: “Situata do të jetë ende e vështirë nëse masat anti- COVID-19 nuk respektohen, dhe nëse nuk vaksinohet masa më e madhe e qytetarëve me dozën e tretë të vaksinës, sepse dy dozat e para nuk mbrojnë nga varianti Omicron, e cila është mbi 80% të rasteve në Kosovë. Kjo ishte shqetësuese për krejt organizatat shëndetësore të botës, dhe për këtë arsye u bë miratimi i dozës së tretë e cila të mbron nga varianti Omicron. Ndryshe, mendoj se situata do të jetë ende e rëndë nëse nuk vaksinohen edhe fëmijët e moshës 12 vjeç e lartë, por duhet të fillohet edhe me fëmijët 5 vjeç e lartë, sikurse po bëjnë vendet e tjera të botës, sepse po shihet që edhe fëmijët e moshës 5,7,9 vjeçe po infektohen me virusin Omicron”.
Varianti Omicron është bërë varianti dominues në mbarë botën, kryesisht për shkak se i shpëton antitrupave. Prandaj për t’u mbrojtur nga Omicron, si masë preventive, edhe me tutje mbetet vaksinimi, mbulimi i gojën dhe hundën me maskë, respektimi i distancës si dhe mbajtja e higjienës.