Rritja e ndërgjegjësimit të të gjitha shoqërive botërore mbi gjendjen e viktimave të trafikimit njerëzor, promovimin, mbrojtjen e të drejtave të tyre dhe parandalimin e trafikimit, ka bërë që Kombet e Bashkuara, datën 30 korrik ta njohin si ‟Dita Botërore kundër Trafikimit të Qenieve Njerëzore”. Në luftë me këtë dukuri, është edhe Policia e Kosovës e cila po punon me përkushtim në ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike, si dhe parandalimin e luftimin e veprave penale të të gjitha llojeve në vend. Në një intervistë për Radio KFOR-in, zëdhënësi i Policisë së Kosovës, z.Daut Hoxha tha: “Nga detyrat dhe autorizimet e përgjithshme që dalin nga ligji për Policinë është edhe parandalimi, hetimi dhe zbulimi i veprave penale, përfshirë edhe luftimin e trafikimit me qenie njerëzore dhe veprat tjera që ndërlidhen me këtë. Policia e Kosovës, respektivisht Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Njerëz mbetet e angazhuar në kuadër të kompetencave që ka, të ndërmerr masa të rëndësishme në identifikimin viktimave të trafikimit si dhe luftimin e kësaj dukurie që paraqet një sfidë jo vetëm për institucionet vendore, por edhe më gjerë. Policia e Kosovës ndër vite ka treguar gatishmëri për një bashkëpunim me autoritete e rajonit dhe më gjerë, dhe si rezultat i këtij bashkëpunimi, janë realizuar edhe operacione të përbashkëta policore në nivel rajonal dhe janë shënuar edhe rezultate konkrete në arrestimin e personave të dyshuar dhe shkatërrimin e grupeve të ndryshme kriminale. Referuar statistikave gjatë pesëmujorit të parë (janar-maj) të vitit 2022, për veprimtari penale, si: trafikim me njerëz, shërbime seksuale të viktimave të trafikimit dhe vepra tjera penale, janë arrestuar 95 persona të dyshuar, 10 nga ta për trafikim me njerëz. Janë identifikuar 7 viktima si dhe janë dërguar në prokurori 29 kallëzime penale, nga to, 5 për trafikim me njerëz dhe 24 për vepra të tjera. Policia mbetet e përkushtuar që përmes planifikimeve strategjike, fushatave të ndryshme parandaluese dhe operacioneve konkrete policore, të vazhdojë luftimin e trafikimit me qenie njerëzore dhe ndërmarrjen e masave ligjore ndaj të gjithë atyre që janë të përfshirë në vepra të tilla penale, apo që ndërlidhen me to.”
‟Dita Botërore kundër Trafikimit të Qenieve Njerëzore”, kudo në botë, shënohet me aktivitete dhe fushata vetëdijësuese kundër trafikimit të qenieve njerëzore dhe mbështetje ndaj viktimave të trafikimit.