Çdo vit, më 29 shtator, Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) në bashkëpunim me Federatën Botërore të zemrës shënojnë ‘Ditën Botërore të Zemrës’, me qëllimin kryesor të saj, ndërgjegjësimin, informimin dhe edukimin e njerëzve lidhur me sëmundjet kardiovaskulare, të cilat janë shkaku kryesor i shumë vdekjeve në botë.
Kjo ditë, gjithashtu synon të promovojë masa parandaluese që zvogëlojnë rrezikun e sëmundjeve kardiovaskulare. Ka shumë lloje sëmundjesh që mund të japin goditje në zemër ose goditje në tru, prandaj, për lehtësi, këto sëmundje i ndajmë në tri grupe: në sëmundje që ndikojnë drejtpërdrejt në zemër, në tru dhe në sistemin periferik të qarkullimit të gjakut.
Sëmundjet kardiovaskulare shkaktohen në përgjithësi nga kombinimi i një sërë shkaqesh të përbashkëta e të shumta, duke filluar me karakteristikat social-biologjike, si: presioni i lartë i gjakut, kolesteroli i lartë, mbipesha dhe obeziteti, diabeti apo faktorët e mënyrës së jetesës, si dieta jo e shëndetshme, duhan pirja, mungesa e aktivitetit fizik, konsumi i shtuar i alkoolit, të cilat rrisin mundësinë për të pasur një problem të enëve koronare apo cerebrovaskulare.
Sipas OBSH-së, çdo vit vdesin më shumë njerëz nga sëmundjet kardiovaskulare, sesa nga çdo sëmundje tjetër.