Në urën kryesore në Mitrovicë, sot (29 shtator), u takuan mes vete të rinjtë e komunitetit shqiptar dhe serb, për të pirë kafe së bashku. Pra, sot për herë të pare u mbajt ‘Festivali i Kafes’, i organizuar nga Community Building Mitrovica (CBM), New Social Initiative, Youth Initiative for Human Rights e mbështetur edhe nga USAID.
Në këtë festival përveç kafesë, të rinjtë patën mundësi të argëtohen me aktivitete të ndryshme dhe të kënaqen me muzikë të performuar nga Mitrovica Rock School, Jimmy Mustafa, DJ Butrint Behrami dhe DJ Svacko.
Me këtë rast, Radio KFOR-i takoi organizatorët dhe pjesëmarrësit e këtij aktiviteti. Zyrtarja e programit, znj. Nerimane Ferizi, tha: “Duke e ditur që kafja përdoret edhe është goxha zakon t’i ftojmë të tjerë për kafe ‘Kojshi hajde n’kafe’, siç është edhe motoja e festivalit, që të vijnë me u taku në urë dhe njëkohësisht të tentojmë, ndoshta, edhe ta ndërrojmë imazhin e urës. Prandaj, i bëj thirrje të rinjve që me u taku me shqiptarë dhe serb si dhe të shohim të gjithë që problemet i kemi të njëjta.”
Të njëjtin mendim e ndante edhe organizatorja tjetër, znj. Milica Jakovljevic: “Sot kemi ftuar të gjithë qytetarët nga Mitrovica jugore dhe veriore që të na bashkohen si dhe nga i gjithë rajoni i Mitrovicës, por edhe nga mbarë Kosova, për të pirë kafe së bashku me ne dhe për të shijuar programin muzikor që kemi përgatitur për ta. E për të rinjtë, mesazhi më i rëndësishëm është se ata duhet të shijojnë diversitetin dhe të shoqërohen. Për të kaluar sa më shumë kohë së bashku dhe për t’i dhënë patjetër një mundësi njëri-tjetrit, për t’u njohur më mirë dhe për të shijuar çdo ditë.”
Në këtë aktivitet argëtues, më të lumturit ishin pjesëmarrësit: “Përshëndetje, unë jam Blinera Kajtazi, nga Mitrovica dhe sot jam pjesë e këtij manifestimi apo aktiviteti që po mbahet. Sigurisht që Mitrovicës i kanë munguar këto organizime dhe nuk kemi pasur të tilla, sidomos prej kohës së pandemisë, prandaj po kalojmë shumë mirë. Mendoj se duhet me pas edhe ura lidhëse ku ne mbërrijmë me u takuar me të rinj serbë, ose ku mbërrijmë me mbajt aktivitete të përbashkëta, prandaj është e nevojshme dhe i duhur një organizim i tillë.”
Qëllimi i ‘Festivalit të Kafes’, ishte bashkimi i komuniteteve në Mitrovicë dhe regjion, për të shijuar ditën me një kafe, me muzikë live dhe me biseda fqinjësore.