Reduktimi i humbjeve dhe mbetjeve të ushqimit është thelbësor, në një botë ku numri i njerëzve të prekur nga uria po rritet ngadalë, ku tonelata me ushqime të ngrënshme humbasin ose shpërdorohen çdo ditë, prandaj Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara, në vitin 2019, caktoi datën e sotme, 29 shtatorin, si ‘Ditë Ndërkombëtare të Ndërgjegjësimit për Humbjen e Mbetjeve Ushqimore’.
Kur ushqimi humbet ose shpërdorohet, atëherë të gjitha burimet që janë përdorur për të prodhuar atë, duke përfshirë ujin, tokën, energjinë, punën dhe kapitalin, na shkojnë dëm. Përveç kësaj, asgjësimi i humbjes së ushqimit dhe mbetjeve të tyre në fusha, çon në emetimin e gazrave serrë, duke kontribuar në ndryshimet klimatike.
Sipas ekspertëve, fushat kryesore të mundësive për të parandaluar dhe reduktuar mbetjet ushqimore në këtë fazë, janë përmirësimi i praktikave të përpunimit, gjetja e zgjidhjeve inovative të paketimit dhe promovimi i qarkullimit, duke përdorur nënproduktet dhe materialet e mbetura të produkteve për ushqimin e njerëzve.