‘Dita Ndërkombëtare e Matematikës’ shënohet çdo vit me datën 14 mars dhe ndryshe kjo datë njihet edhe si ‘Dita e Numrit Pi’, që është ekuivalent me numrin 3.14.
Shënimi i kësaj dite, është shumë i rëndësishëm dhe këtë e konfirmoi për Radio KFOR-in edhe arsimtarja e matematikës, znj. Naxhije Gashi, e cila punon me vite të tëra me klasat e nënta, në Shkollën e Mesme të Ulët ‘Hasan Prishtina’, në Prishtinë: “Matematika është shumë e vlefshme për të gjithë, por edhe për nxënësit, sepse ajo ju duhet gjithë jetën, si në rrugë, në treg, e kudo që ata bëjnë pagesa. Nëse nuk e di matematikën mund edhe të mashtrohesh dhe të dëmtohesh. Kështu që, matematika është çelësi i të gjitha lëndëve, prandaj duhet t’i kushtohet një vëmendje e rëndësishme, sepse po e dite matematikën do të kesh njohuri edhe për lëndë të tjera.”
Që nga shënimi i ‘Ditës Ndërkombëtare të Matematikës’, çdo vit caktohet një temë me të cilën shënohet kjo ditë, por edhe për të ndezur kreativitetin dhe për të sjellë dritë në lidhjet midis matematikës dhe të gjitha llojeve të fushave, koncepteve dhe ideve. Tema e këtij viti është “Matematika na bashkon!”.