Gjatë ditës së djeshme në Kosovë, ka qëndruar për vizitë sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg. Në një përgjigje ekskluzive dhënë Radio KFOR-it, lidhur me rëndësinë e bashkëjetesës dhe tolerancës ndëretnike në Kosovë, shkelqësia e tij, Jens Stoltenberg u shpreh:
“Evropa është kontinent me shumë grupe të ndryshme etnike dhe ne duhet të jetojmë së bashku në paqe. Ne e dimë që për shekuj me radhë, Evropa ishte shkatërruar nga luftëra dhe konflikte, ne luftuam me njëri-tjetrin për fenë, për dallimet etnike dhe ajo që kemi parë është se pas dy luftërave shkatërruese botërore, në pjesën më të madhe të Evropës ne kemi qenë në gjendje t’i kapërcejmë këto ndryshime. Unë jetoj në Bruksel dhe natyrisht, në atë pjesë të Evropës, kemi pasur luftën e parë dhe të dytë botërore, ku janë krijuar shumë vuajtje, janë vrarë shumë njerëz dhe tani ne në këtë pjesë të Evropës, jetojmë së bashku në paqe pavarësisht dallimeve gjuhësore, feve të ndryshme dhe prejardhjeve të ndryshme etnike. Në vendet nordike nga të cilat vij edhe unë, Norvegji, kemi pasur luftëra pothuajse gjatë gjithë kohës midis njerëzve që jetonin në vendet skandinave dhe nordike, por tani ne jetojmë në paqe. Unë e them këtë sepse është e mundur të kapërcejmë dallimet politike, etinike dhe fetare për të jetuar në paqe dhe të pranojmë dallimet tona pas shekujsh të luftimeve me njëri-tjetrin.
Unë e di që kemi ende disa sfida, veçanërisht në këtë rajon, por kemi qenë në gjendje të bashkëjetojmë, të jetojmë në paqe dhe për këtë ne kërkojmë zgjidhje paqësore dhe të gjithë ne punojmë shumë për të respektuar dallimet, për të dëshmuar tolerancë dhe bashkëjetesë duke jetuar në paqe pavarësisht dallimeve midis njerëzve”.