Data e sotme 31 maj, shënon ‘Ditën Botërore Pa Duhan’. Fushata globale e këtij viti (2023), u bën thirrje qeverive dhe politikë bërësve të rrisin legjislacionin, të zhvillojnë politika dhe strategji të përshtatshme dhe tu mundësojnë kushtet e tregut për fermerët e duhanit, që të kalojnë në rritjen e kulturave ushqimore, që do t’u siguronin atyre dhe familjeve të tyre një jetë më të mirë.
Ndotja e ajrit e shkaktuar nga duhan pirja, është gjëja e parë që na vjen në mendje, por cikli i jetës së duhanit është edhe një tjetër proces jashtëzakonisht kompleks dhe me pasoja të rënda.
Në të gjithë globin, çdo vit rreth 3.5 milionë hektarë tokë shfrytëzohen për të kultivuar duhanin. Rritja e kërkesës kontribuon gjithashtu në shpyllëzimin e 200.000 hektarëve në vit dhe në degradimin e tokës, e ky prodhim i duhanit e varfëron planetin me ujë, lëndë djegëse, fosile dhe burime metalike.