Poeti i njohur amerikan Rober Frost, poezinë e përkufizon kësisoj: “Kur një emocion ka gjetur mendimin e tij dhe mendimi ka gjetur fjalët, quhet poezi”.
Mënyrën e të shprehurit të mendimeve dhe emocioneve përmes lapsit e letrës, e përshkruan me fjalët më të zgjedhura, që përkojnë me poezi, poeti i ftuar sot (31.05.23), në studion e Radio KFOR-it, tek moderatorja Trëndelina Duli, z. Mexhid Havolli: “Poetët që merren me shkrime dhe poezi, në veçanti, janë ëndërrimtarë të kësaj fushe të përbashkët, të cilën ne e hetojmë në detaje me temat dhe motivet që na rrethojnë çdo ditë, si rrezet e diellit, rënia e shiut, një fletë, një gjethe, një dashuri e humbur, një peizazh që të motivon. Në vazhdimësi mundohemi ta ruajmë krijimtarinë, për të qenë sa më pranë mbretëreshës më të bukur, që ne e quajmë poezi”, tha mes tjerash poeti Havolli.
Në kuadër të bisedës së zhvilluar në studio, z. Havolli po ashtu përcolli për të gjithë dëgjuesit edhe një mesazh, që ndërlidhet me mënyrën se si poetët e shohin dhe e paraqesin botën përmes vargjeve të shkruara: “Shkrimtarët janë njerëzit më paqësorë në botë, asisoj e përshkruajnë atë përmes shkrimeve të tyre. Përmes shkrimeve tona, ne mundohemi që botën dhe njerëzit e saj t’i bëjmë më të dashur karshi njëri tjetrit.”
Disa nga veprat e realizuara të poetit Mexhid Havolli, janë: “Vdekja e Panit” -1997 Rilindja, Prishtinë, “Acar në sy” – 2007, Faik Konica, Prishtinë, “Ëndrra pa qiell” – 2022, Lena Graphic, Prishtinë.