Një jetë e shëndetshme, nënkupton ushqim të shëndetshëm. Të ushqyerit është një proces sa i rëndësishëm, aq edhe kompleks. “Pavarësisht se sa kuzhinier të mirë e konsiderojmë veten, asnjëherë nuk duhet harruar, se dieta ditore duhet të përmbajë vlera ushqyese të shëndetshme”, kështu thotë Dhurata Halabaku, e cila është nutricioniste në “Shëndeti Club”:
“Ushqimi në organizmin e njeriut ka një rol shumë të madh dhe ne jemi ata se çfarë konsumojmë. Duhet të kemi kujdes në atë se çfarë konsumojmë. Është mirë të dimë origjinën e produkteve, ku janë rritur, ku janë ruajtur, mandej duhet të kemi një kujdes shumë të madh edhe në atë se a i plotëson nevojat energjetike dhe ushqyese ai ushqim që ne e konsumojmë. Ka shumë rëndësi që ushqimi të ketë proteina, karbohidrade e yndyra, mirëpo është shumë me rëndësi të dimë se në çfarë raporti duhet t’i konsumojmë, mos të fokusohemi në karbohidrate e yndyra, por më tepër në proteina.”
E pyetur nga Radio KFOR-i, se kush janë kuzhinierët më të mire, burrat apo gratë, doktoresha Dhurata Halabaku, thotë:
“Këtu ku jetojmë ne, kuzhina më tepër i takon gruas, mund të themi 70% gratë merrem me këtë aktivitet. Mirëpo, kemi shumë raste, sidomos kohëve të fundit, pasi njerëzit po lexojnë , po hulumtojnë, edhe burrat janë të involvuar, do të thotë të inkuadruar në përgatitjen e ushqimit. Unë njoh personalisht burra, familjarë, kolegë që kanë aftësi shumë të mira në përgatitjen e ushqimit”.
Ushqimi i shëndetshëm, është një nga faktorët kryesor për jetë të gjatë e po ashtu një ndër faktorët bazë edhe në hulumtimet e shumta për vendet me jetëgjatësinë më të gjatë në botë. Bazuar në hulumtimet e fundit, vendet me jetëgjatësinë më ta gjatë në botë janë: Japonia, Spanja, Singapori, Zvicra e Korea e Jugut.