Me datën 19 maj të çdo viti, shënohet “Dita Botërore e Mjekëve Familjarë”, për të vlerësuar dhe nderuar rolin dhe kontributin e mjekëve familjarë, për shërbimet e tyre mjekësore në shëndetin e komuniteteve të tyre. Kjo ditë ka për qëllim të rrisë ndërgjegjësimin për rëndësinë e kujdesit mjekësor parandalues dhe të mirëqenies së përgjithshme të pacientëve, në kontekstin e mjekësisë familjare.
Kjo ditë, për herë të parë është shënuar në vitin 2010, nga WONCA (Shoqatë Botërore e Mjekëve Familjarë) për të vënë në pah rolin dhe kontributin e mjekëve familjarë në sistemin shëndetësor në tërë botën. Mjekët familjarë njohin historinë mjekësore të familjeve, lidhjet sociale dhe mjedisin e pacientëve të tyre, duke u bërë burime të rëndësishme të besimit dhe mbështetjes mjekësore.
“Dita Botërore e Mjekëve Familjarë” shënon rëndësinë e mjekësisë familjare në kujdesin mjekësor primar dhe parandalimin e sëmundjeve në komunitet.