Ditëve të fundit në vendin tonë janë evidentuar aksidente rrugore ku janë raportuar edhe humbje të jetëve njerëzore.
“Angazhime policore janë në proces për të garantuar rrjedhshmëri të trafikut pa pengesa nëpër rrugët e Kosovës dhe parandalim të aksidenteve, përderisa për të gjithë kundërvajtësit në trafik po ndërmerren dhe do të ndërmerren masa ligjore”, kështu tha për Radio KFOR-in, zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Daut Hoxha, i cili më tutje tregoi edhe për statistikat e aksidenteve si dhe gjithashtu u bëri ftesë të gjithë pjesëmarrësve në trafik që të jenë të kujdesshëm: “Megjithëse, në periudhën Janar-Korrik 2022, në aksidente të trafikut rrugor, jetën e kanë humbur katërmbëdhjetë (14) këmbësor apo (- 17.6 % ) më pak këmbësor të vdekur, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar (2021). Policia e Kosovës kërkon nga të gjithë pjesëmarrësit në trafik, në veçanti drejtuesit e automjeteve, që të jenë vigjilent dhe vozitjen ta përshtatin me rrethanat e krijuara nëpër rrugët tona në mënyrë që pjesëmarrja në trafik të jetë e sigurt, të shmangen aksidentet rrugore dhe rastet me fatalitet të reduktohen edhe më shumë.”
Kujdesi maksimal i pjesëmarrësve në trafik, veçanërisht drejtuesve te automjeteve është i domosdoshëm për të shmangur aksidentet në përgjithësi dhe garantimin e një sigurie më të madhe në trafikun rrugor.