Java që kemi hyrë, ka rezervuar shumë aktivitete kulturore për dashamirët e artit në përgjithësi. Duke filluar nga dita e sotme (21.11.22), e deri më 23 nëntor, do të mbahet ‘Festivali Poetik i Prishtinës’. Për tri ditë me radhë, në hapësirat e Termokiss, nga ora 17:00 do të ketë promovime librash, mbrëmje autoriale, debate tematike, diskutime, dokumentar si dhe orë poetike me autorë të zgjedhur.
Dita e nesërme (22.11.22), shënon edhe fillimin e ‘Festivalit të Filmit Japonez’, në Kosovë. Kjo ngjarje përmban katër filma bashkëkohorë japonezë, një përzgjedhje që synon të prezantojë kulturën japoneze. Gjatë datave 22 dhe 27 nëntor, do të keni mundësi që përmes festivalit në fjalë të njihni më mirë vendin, njerëzit dhe kulturën japoneze.
Edhe një ngjarje tjetër e bukur do të pasurojë këtë javë, bëhet fjalë për Koncertin e dhjetë me radhë të Festivalit ‘Kosova Kamerfest 2022’, i cili do të mbahet në hapësirat e Amfiteatrit të Ri të Bibliotekës Universitare. Me datën 25 nëntor, nga ora 20:00, do të keni mundësi të shijoni performancën e Syzana Jakupit – Piano Dhe Alba Muçolli-Dehiri – Piano.
Për fansat e teknologjisë, kjo javë është begatuar me ‘November Code Fest’, gara e madhe e kodimit, në të cilën garojnë nxënësit e Shkollës Digjitale me projektet e tyre në këto kategori: Zhvillim të Lojërave Kompjuterike 2D, Zhvillim të Aplikacioneve Mobile, Zhvillim të Uebfaqeve. Kjo ngjarje do të mbahet më 26 nëntor, në ambientet e Kino Armatës, me fillim nga ora 09:00.