Në kuadër të aktiviteteve të shumta në kuadër të programit ‘Up to Youth’, edhe të rinjtë e Skenderajt po përfitojnë nga ky program. Njëra nga këto iniciativa, është “Përfito nga aktivitetet pas-shkollore”, e cila kishte për qëllim vetëdijesimin dhe përfshirjen sa më të madhe të të rinjve të Skenderajt, në aktivitete jashtëshkollore. Për të kuptuar më shumë rreth kësaj iniciative, Radio KFOR-i ka intervistuar lideren e grupit në projektin “Përfito nga aktivitetet pas-shkollore”, znj. Aurora Memishi, e cila tregoi se si ka ardhur deri tek iniciativa në fjalë: “Nga Hartimi i Burimeve në Komunitet, kemi parë që shumica e të rinjve në Skenderajt, nuk janë të angazhuar me aktivitete jashtëshkollore. “Përfito nga aktivitetet pas-shkollore”, ka qenë projekt përmes të cilit kemi vizituar të rinjtë nëpër shkolla që sado pak të vetëdijesohen për rëndësinë e aktiviteteve jashtëshkollore. Përgjatë këtyre aktiviteteve, ne kemi pasur mundësi që të njohim të rinjtë, që të shkëmbejmë idetë, të punojmë së bashku në mënyrë që të arrijmë qëllime dhe suksese së bashku. Në takimet që kemi pasur me grupet e të rinjve nga komuna të tjera, në kuadër të projekteve të ‘Up to youth’, ne kemi pasur rastin që të takohemi dhe të bashkëpunojmë me të rinj nga të gjitha komunitetet në Kosovë.”
Pjesë e këtij angazhimi është edhe znj. Valentina Kadrija, e cila ka qenë interne për projektin e ‘Up to Youth’. Për Radio KFOR-in, znj. Kadrija tregoi për përfitimet e shumta që kanë marr të rinjtë nga ky angazhim: “Iniciativa ka ardhur nga të rinjtë, ku së bashku kemi diskutuar dhe kemi ardhur në përfundim që një iniciativë për aktivitete jashtëshkollore është e nevojshme. Gjatë kësaj kohe, ne kemi vizituar shkollat, kemi mbajtur trajnime me të rinjtë, kemi marr ide nga ta, se çfarë ju nevojitet dhe ka qenë një eksperiencë shumë e bukur. Unë kur kam filluar me aktivitete jashtëshkollore, e kam parë se sa të rëndësishme janë ato për rritjen tonë, zhvillimin psikologjik dhe natyrisht përveç edukimit në shkolla, aktivitetet jashtëshkollore na shtyjnë edhe më shumë drejtë suksesit, na mundësojnë me u shoqërua me shumë të rinj të tjerë.”
Iniciativa “Përfito nga aktivitetet jashtëshkollore” në Skenderaj, mbështetet nga Agjencia e Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID) përmes programit ‘Up to Youth’, aktivitet ky pesë vjeçar, i përkushtuar që të përmirësojë kapacitetet e rinisë dhe të krijojë mundësi për aspiratat e rinisë, në mënyrë që ata të kontribuojnë dhe të përfitojnë nga komunitete më të qëndrueshme, më demokratike dhe më prosperuake.