Muajin nëntor, Radio KFOR-i ia ka dedikuar sportit me qëllim që të promovojë profesionin, hobin dhe angazhimin më të shëndetshëm për njeriun si dhe të rrisim vetëdijen që sa më shumë të merremi me sport. Sot (21.11.22), në kuadër të kampanjës #SportK4, në emisionin ‘Macchiato Lounge’, me nikoqir Ardian Gashin, ekipi i Radio KFOR-it kishte kënaqësinë që të ndante studion, me të ftuarin e radhës, Nënkryetarin e Federatës së Karatesë të Kosovës, njëherit edhe Kryetrajnerin e Klubit të Karatesë si dhe me Referin Ndërkombëtar me Licencë Ballkanike, z. Gazmend Havolli, i cili sportin e karatesë ka filluar të merret qysh nga viti 1977, atëherë kur është hapur klubi i parë i karatesë në Podujevë: “Karateja në Kosovë ka filluar të zhvillohet si sport, në fund të viteve të 60-ta, ndërsa unë qysh nga viti 1977, kur edhe u formua klubi ‘Kosova Trans’, isha pjesë e tij”, tha z. Havolli, duke treguar edhe historikun e shtrirjes së karatesë në botë: “Ky sport luftarak na erdhi nga japonezët, pas viteve të 30-ta, kur ka filluar që të popullarizohet. Ne, kemi pasur fatin që të kemi instruktorë të mëdhenj, siç ishin: z. Isak Latifi, z. Nagip Murati, e të tjerë, të cilët dijen e tyre për këtë sport, e bartën tek ne. Karateja asokohe si sport, nxiste kureshtje pasi kishim edhe filmat e famshëm me po të njëjtin sport.”
Sot, karatesë i mungon infrastruktura, tha z. Havolli, duke vënë në pah se pavarësisht kësaj, vullneti i të rinjve që të merren me këtë sport, i tejkalon të gjitha: “Kryesisht neve ende na mungon infrastruktura, ambientet dhe hapësirat e duhura për këtë sport, por nëse e krahasojmë me kohën tonë, sot pajisjet e këtij sporti i gjejmë shumë më lehtë, për dallim prej kohës sonë. Përkundër mungesës së infrastrukturës, ka njerëz e dashamirë që e përkrahin këtë sport për çka edhe i falënderojmë. Rezultatet e tanishme, janë me një bazë të gjatë, me shumë vullnet e punë, që sot të jemi të pranuar në organizatat respektive botërore të karatesë.”
Përkundër që emërtohet si sport luftarak, karateja në fakt nuk përçon mesazhe të dhunshme, përkundër, karateja siç na tregoi edhe z. Havolli, është një mjeshtri që është kthyer në formë humane dhe një sport me rregulla. Karateja mbi të gjitha është disiplinë e kulturë, e cila na mëson vetë disiplinë, mirësjellje dhe vetëdijesim për jetën e shëndetin.
Sukseset e sportit të karatesë së Kosovës janë të panumërta, ndër të fundit po veçojmë pjesëmarrjen në Kampionatin Ballkanik për Kadet, Junior dhe U21 që është mbajtur në Mal të Zi, prej ku garues nga Kosova janë kthyer në shtëpi me 14 medalje, ndërsa përgjatë këtij viti Federata e Karatesë së Kosovës, ka qenë e përfaqësuar në mbi 30 gara kombëtare dhe ndërkombëtare.
Z. Havolli, përmes valëve të Radio KFOR-it u bëri thirrje të gjithë të rinjve, që sa më shumë të angazhohen në aktivitete sportive, që t’i kontribuojnë shëndetit të mirë, mirëpo ai me theks të veçantë u bëri thirrje vajzave, që edhe ato të angazhohen në sportin e karatesë.