Misioni i KFOR-it po vazhdon edhe më tej t’ju dalë në ndihmë të gjithë njerëzve në Kosovë, veçanërisht të rinjve, duke dhuruar donacione të shumta për institucionet shkollore në komuna të ndryshme, me qëllim të përmirësimit të infrastrukturës dhe cilësisë së arsimit në Kosovë.
Të premten (18.12.20), përfituese e donacionit të radhës ka qenë Shkolla Fillore dhe e Mesme e Ulët, ‘Lidhja e Prizrenit’ në Komunën e Pejës, në të cilën vijojnë mësimin 1.300 nxënës. Donacioni në kuadër të CIMIC-ut (Bashkëpunimi Ushtarak Civil i KFOR-it), ka përfshirë pajisje teknologjike dhe higjienike për nxënësit e kësaj shkolle: “Unë jam Lejtnant Ura, nga Ushtria Italiane dhe jam lider i Ekipit në kuadër të LMT-së K13. Ne jemi sot këtu për të dhuruar një donacion për këtë shkollë në Pejë, e cila është zgjedhur për shkak se është një nga shkollat më të mëdha në Pejë. ky donacion përfshin një televizor, disa iPad, një makinë pastrimi për dysheme e të tjera. Mesazhi im për të rinjtë është që KFOR-i është këtu për t’i ndihmuar ata, sepse të rinjtë janë e ardhmja e Kosovës.”
Jashtëzakonisht falënderues për këtë donacion të KFOR-it ishte drejtori i Shkollës, Valdrin Husaj, i cili tha: “Gjatë kohës së pandemisë kur nuk e kishim të qartë se si po rrjedh situata për fillimin e vitit shkollor, a do të jemi prezent në shkollë apo do të kalojmë në mësim online, atëherë ne kërkuam nga KFOR-i që të na mbështesë me mjete teknologjike, si tabletë të ndryshëm, e po ashtu me pajisje që kanë të bëjnë me ngritjen e higjienës në shkollë, duke e ditë që si parakusht për parandalimin e pandemisë, ishte edhe mbajtja e higjienës. Ky donacion ka rëndësi shumë të veçantë, sepse ka ndikuar në motivimin tonë shtesë gjatë kësaj periudhe, që të angazhohemi edhe më tepër dhe të ndikojmë në ngritje të cilësisë. Mesazhi im është që asnjëherë të mos dëshpërohemi, sepse jeta është plot me sfida, por gjithherë duke e ditur se kemi një dritare dhe mund t’ia dalim duke mos u dorëzuar asnjëherë.”
E entuziazmuar me donacionin e sotëm të KFOR-it ishte edhe nxënësja e klasës së VI-të në shkollën ‘Lidhja e Prizrenit’, Lea Kelmendi, e cila shtoi: “Jam shumë e kënaqur me ndihmën e KFOR-it. Unë sot e kam pranuar një tablet dhe një reflektor dore, nga donacioni që ka sjellur KFOR-i dhe isha shumë e kënaqur nga puna dhe suksesi i tyre.”
Përmes donacioneve të tilla, KFOR-i dëshmon edhe njëherë angazhimin e tyre për një të ardhme më të mirë, për të gjithë njerëzit në Kosovë.