Kur jemi në muajin nëntor, ligat më të mira basketbollistike janë bërë shumë interesante, me rivalitetin mes skuadrave të forta. Liga më atraktive apo ajka e basketbollit, Euroliga ka zhvilluar tetë xhiro deri më tani, ku kampioni në fuqi Real Madridi, e ka filluar mbrojtjen e titullit në mënyrën më të mirë të mundshme duke i fituar të gjitha ndeshjet që i kanë luajtur. Madrilenët kanë lënë prapa rivalin e tyre të përbetuar, Barcelonën në vendin e dytë. Në vendet 3, 4, 5 janë Virtus Bologna, Monaco dhe Fenerbahce, teksa në pozitat 6, 7, 8 gjenden Valencia, Maccabi dhe Panathinaikos.
Në EuroCup, skuadrat të ndara në grupe kanë filluar të rrisin avantazhin ndaj ekipeve tjera. Në grupin A, Parisi është lider pa asnjë humbje, duke u ndjekur nga Besiktasi në vendin e dytë. Ndërkaq në grupin B, prin Gran Canaria, pa asnjë humbje. Teksa në vendin e dytë pozicionohet për momentin Cluji, nga Rumania.
Ndërsa, kur kalojmë te ligat e organizuara nga FIBA, në Champions League skuadrat janë të ndara në tetë grupe. Më së miri deri tani po paraqiten Unicaja, Dijon, Aek-u, Strasburgu dhe Bertham Tortona.
Skuadrat kosovare, Peja dhe Trepça janë duke garuar në FIBA Europe Cup, ku kanë lënë gjurmë me lojën e tyre të mirë. Për momentin, verdh e zinjtë i kanë punët më mirë duke arritur dy fitore e tre humbje në grup me Niners Chemnitz, Stargard dhe Heroes Den Bosch. Trepça përkundër lojës së mirë, nuk ka arritur të marrë ndonjë fitore, pasi ka pësuar tre humbje nga ZZ Leiden dhe Dunkerque.