Sot bota kthen sytë e vëmendjen nga fëmijët, në ‘Ditën Botërore për të Drejtat e Fëmijëve’, e cila shënohet çdo vit më 20 nëntor, për të reflektuar mbi detyrimet që shoqëria jonë ka ndaj tyre dhe për problemet me të cilat ata përballen çdo ditë.
Asambleja e përgjithshme e Kombeve të Bashkuara për herë të parë e shënoi këtë ditë në vitin 1954, e cila përveç tjerash ka për qëllim të sigurojë mirëqenie për të gjithë fëmijët në botë dhe të i rikujtojë të rriturve se fëmijët, si anëtarë të barabartë të çdo shoqërie, kanë të drejtat e tyre, të cilat duhet të respektohen.
OKB-ja në vitin 1959, e miratoi Deklaratën për të drejtat e fëmijëve, ndërsa në vitin 1989 u miratua edhe Konventa për të drejtat e fëmijëve. Kjo ditë shënohet me aktivitete të ndryshme, të cilat kanë për qëllim promovimin e idealeve dhe objektivat e Konventës për të Drejtat e Fëmijëve si dhe mirëqenien e fëmijëve të botës.