Të njohësh një gjuhë tjetër është shkathtësi, të përkthesh në një gjuhë tjetër është art. Komuniteti botëror sot, me 30 shtator, nderon punën e mijëra përkthyesve profesionistë, të cilët me punën e tyre ndihmojnë në afrimin e kombeve, duke kontribuar në zhvillimin dhe forcimin e paqes dhe sigurisë botërore. Për nder të kësaj dite, Radio KFOR-i, ka zhvilluar një intervistë me koordinatoren/përkthyesen, në Drejtorinë e Përkthimeve në Kuvendin e Kosovës, znj. Antigona Bajrami, e cila ndau disa nga veçoritë që bart puna e saj dhe sfidat me të cilat mund të përballen përkthyesit:
“Rëndësia e përkthimit qëndron në faktin se përkthimi eliminon barrierat në mes të bashkëbiseduesve. Përkthyesi gjithherë është aktiv dhe një nga elementet që duhet të ketë çdo përkthyes, është që të jetë pedant dhe i saktë në punën e tij/saj. Një nga veçoritë kryesore të përkthimit është që përkthyesi/ja nuk është palë në bisedim, por është “urë lidhëse” në mes palësh. Derisa disa nga sfidat tek përkthimi konsekutiv mund të jenë jo elokuenca e folësit, te përkthimi me shkrim është paqartësia e fjalisë dhe shprehjet e huaja të pa nevojshme, ndërsa te përkthimi simultan është leximi i shpejt i tekstit dhe të folurit shumë shpejt si dhe jo elokuenca e folësit.”
Në ‘Ditën Botërore të Përkthimit’, znj. Antigona, po ashtu tha se përkthimi të kuptohet si domosdoshmëri e kohës së globalizimit. Përkthyesit, pa dyshim që kanë një nga rolet më të rëndësishme dhe më të veçanta në botë, që nëpërmes komunikimit të bashkojnë dhe të miqësojnë kultura të ndryshme në botë.