Në gjendjen epidemiologjike me të cilën po vazhdojmë të përballemi, të rrezikuar mbeten edhe vozitësit e taksive apo autobusëve, puna e të cilëve është mjaft sfiduese, duke qenë se prezenca e kontaktit me njerëz, në këtë rast e pasagjerëve, është e pashmangshme.
Z. Faton Vllasaliu, vozitës në njërën prej kompanive të taksive në Prishtinë, pohon për Radio KFOR-in, se gjatë gjithë kësaj periudhe kanë qenë të rrezikuar, megjithëse vazhdimisht janë përkujdesur që klientët e tyre të respektojnë masat mbrojtëse kundër COVID-19: “Edhe pse në një situatë shumë të vështirë edhe për ne, jemi munduar gjatë gjithë kohës të jemi sa më të buzëqeshur, sa më pozitiv në mënyrë që të mos transmetojmë panik. Nga ana jona, ne vazhdimisht mundohemi të ruajmë pastërtinë, çdo ditë i dezinfektojmë veturat, gjatë tërë kohës qëndrojmë me maska dhe të njëjtën ua themi ta bëjnë edhe udhëtarëve tanë dhe më shumë se 4 pasagjer nuk i pranojmë asnjëherë, edhe atë të gjithë duhet të jenë të familjarë. Sfiduese është kur vozisim të sëmurë që shkojnë në spitale apo për analiza, por menjëherë pas atij udhëtimi e dezinfektojmë veturën’’, tha z. Vllasaliu, duke shtuar se së fundmi është përgjysmuar puna, gjë që ndikon direkt në xhepin e tyre.