Nga data 21 deri më 27 korrik, qyteti historik i Prizrenit, do të mirëpresë edicionin e pestë të PrizrenFest – Festivalit Ndërkombëtar të Teatrit në Ambient të Hapur. ‘PrizrenFest’ do të sjellë mbi 20 shfaqje, performanca dhe aktivitete artistike me pjesëmarrjen e më shumë se 250 artistëve nga vende të ndryshme të botës.
Festivali do të hapet me performancën ndërkombëtare ‘Borderless Body’, një shfaqje e vallëzimit bashkëkohor që do të zhvillohet në një skenë të ndërtuar mbi lumin Lumbardh.
Programi përfshin edhe produksione me tematika sociale, si ‘Scream in the Dark’ nga Brazili si dhe ‘Mission Roosevelt’, kushtuar qasshmërisë dhe përfshirjes së personave që lëvizin me karrocë. Për herë të parë në Kosovë do të prezantohet edhe Teatri Kombëtar i Stambollit me komedinë klasike ‘Lysistrata’.
Përveç shfaqjeve për të rritur, festivali do të ofrojë edhe aktivitete dhe shfaqje për fëmijë, ndërsa hapësirat historike dhe publike të Prizrenit do të shndërrohen sërish në skena artistike.







