“Paqja fillon me një buzëqeshje”, kështu ka thënë humanistja e njohur shqiptare, fituese e çmimit Nobel për Paqë, Nënë Tereza dhe kjo tregon se secili prej nesh, me pak përkushtim, mund të bëjmë më shumë, për veten, rrethin dhe globin. Data e sotme, 21 shtator, qysh nga viti 1981 u njoh nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara, si “Dita Ndërkombëtare e Paqes”, e cila fton të gjitha kombet për të dhënë kontributin e tyre në ndërprerjen e armiqësive kudo në botë. Në këtë ditë, organizohen aktivitete të ndryshme, por një organizatë që krijimin e paqes e ka mision të përditshëm, është edhe OJQ “Syri i Vizionit”, aty ku ndër të tjera gjejmë edhe programin “Ndërtimi i Paqes”, që ngërthen më vete aktivitete të panumërta, ku përfshihen njerëz nga të gjitha etnitë e religjionet në Kosovë. Në një intervistë për Radio KFOR-in, Drejtori Ekzekutiv i Organizatës Joqeveritare “Syri i Vizionit”, z. Veton Muaj, tregoi se ndërtimi i paqes është mision i përditshëm i organizatës që ai drejton: “Si organizatë, ne funksionojmë qe 23 vite dhe vazhdimisht kemi punuar dhe kontribuuar në një farë mënyre, qoftë direkt qoftë indirekt, në frymën e krijimit të paqes në përgjithësi e sidomos në mes të të gjitha komuniteteve që jetojnë në Kosovë. Kjo ka ndodhë përmes punës tonë direkte por edhe bashkërisht me organizata të tjera, me rrjete të tjera që janë krijuar në frymën e ndërtimit të paqes. Gjithë ky muaj ka qenë dhe është i mbushur me aktivitete të ndryshme që shërbejnë në ndërtimin e paqes. Kemi krijuar disa grupe të të rinjve në nivel të rajonit të Pejës që vijnë nga komunitete por edhe religjione të ndryshme, ku së bashku me ta do të vizitojmë institucione fetare të ndryshme si xhamia, kisha katolike e ortodokse, pastaj vizita të ndryshme edhe tek institucionet e trashëgimore dhe të gjithë këta të rinj të komuniteteve të ndryshme, janë së bashku përgjatë gjithë shtatorit e do të jenë edhe në ‘Ditën Ndërkombëtare të Paqes’.”
Ndërkohë, një organizatë tjetër që po ashtu ndërtimin e paqes e ka mision të përhershëm, është edhe ‘Community Building Mitrovica, e me këtë rast njëri ndër përfaqësuesit e kësaj organizate Jo Qeveritare, z. Milivoje Raiqeviç, përmes frekuencave të Radio KFOR-it, bëri thirrje që sa më shumë të përfshihemi në misionin e ndërtimit të paqes: “Dita Ndërkombëtare e Paqes duhet të jetë një rikujtim për shoqërinë se paqja është një proces i vazhdueshëm dhe punë e përditshme. Pa shumë punë, ne nuk do të jemi në gjendje të arrijmë nivelet e besimit, bashkëpunimit që nevojitet që shoqëritë të përshtaten me ndryshimet dhe të zhvillohen në mjedisin e tyre.”
Paqja dhe shtrirja e saj në botë, duhet të jetë prioritet për komunitetin botëror dhe mos harroni, që secili nga ne, mund t’i kontribuojmë këtij misioni.